Shpenzimet kapitale, 71% më pak se plani i 3-mujorit 2024
2024-04-27 11:15:19

Shpenzimet kapitale këtë vit po tregon dobësi të theksuar. Në tremujorin e parë të vitit 2023 buxheti i shtetit ka alokuar vetëm 4,8 miliardë lekë investime, 71 për qind më pak se plani i tremujorit 2024 dhe 61 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, shkruan “Panorama”.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se investimet e tremujorit të parë 2024 ishin më të ulëtat që nga tremujori i parë i vitit 2019, por ndërkohë fondi i investimeve kapitale këtë vit është më i madhi në histori.

Ecuria e deritanishme e fondit të investimeve kapitale sinjalizon për përqendrim të alokimeve në fund të vitit duke hedhur dyshime për eficencën e përdorimit të tyre.

Deri tani, nga buxheti janë shpenzuar vetëm 3.6 për qind e programit vjetor të investimeve prej 145 miliardë lekësh.

Historia e përdorimit të fondit të investimeve publike tregon se në tremujorin e parë alokimet kanë vështirësi për shkak të vonesave në prokurime. Por këtë vit ecuria e investimeve ka qenë shumë e dobët se të gjithë tremujorët e parë të 15 viteve të fundit.

Shqipëria vitet e fundit ka përmirësuar arkëtimin e të ardhurave buxhetore në vlerë si rrjedhoje e rritjes ekonomike dhe inflacionit të lartë, por rishpërndarja e taksave mbetet shume problematike.

Institucionet financiare ndërkombëtare nga ana tjetër kanë rritur shqetësimet se menaxhimi i kornizës së investimeve publike përballet me dobësi në të gjitha fazat që nga klasifikimi i projekteve deri te zbatimi i tyre. (Irma)