Ministrja Spiropali takon presidentin Begaj: Bashkëpunimi mes institucioneve, garanci për avancimin e vendit
2024-04-27 12:34:09

Foto nga RTSH

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim me presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Spiropali deklaroi se gjatë takimit me kreun e shtetit u diskua për bashkëpunimin mes Institucionit të Presidencës, Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, vendosur në kontekstin e balancës mes pushteteve, si elementi më thelbësor që garanton avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë në proceset transformuese dhe integruese, shkruan “RTSH”.

“Zhvillimet e standardeve të transparencës, llogaridhënies, debati konstruktiv, edukimi për pjesëmarrjen e qytetarëve në veprimtarinë qeveritare dhe parlamentare dhe trajtimi me profesionalizëm i çdo nisme me impakt të drejtpërdrejtë te qytetarët, është detyrë dhe garanci e shtuar për politika gjithmonë e më të mira”,- shkruoi ministrja Spiropali. (Irma)