Polonia i ka ofruar Ukrainës mbështetje ushtarake me vlerë 8.4 miliardë euro në dy vjet
2024-04-26 16:48:21

Ministri i Jashtem polak (Foto Atsh)

Polonia i ka ofruar Ukrainës mbështetje ushtarake me vlerë ekuivalente prej rreth 8.4 miliardë euro (9 miliardë dollarë) gjatë dy viteve të fundit.

Gjatë një fjalimi në parlamentin polak, ministri i Jashtëm, Radoslaw Sikorski, deklaroi se Ukrainës i janë dorëzuar gjithsej 44 pako me armatime, shkruan “ATSH”.

“Polonia i ka ofruar Ukrainës 300 tanke dhe automjete luftarake, 14 avionë luftarakë dhe helikopterë, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe municione”,- thanë ekspertët ushtarakë.

Sikorski theksoi se Polonia ka shpenzuar 16 miliardë euro për ndihmën humanitare në Ukrainë dhe për mbështetjen e refugjatëve ukrainas të luftës në Poloni që nga nisja e konfliktit me Rusinë në shkurt 2022.

Kryediplomati i Polonisë i bëri thirrje Perëndimit që të mbështesë me vendosmëri Ukrainën.

“Ne jemi përballur me një alternativë të thjeshtë, ne mund të përballemi me një ushtri të mundur ruse të vendosur në kufirin lindor të Ukrainës ose me një ushtri fitimtare në kufirin lindor të Polonisë”, tha Sikorski. (Irma)