FAO: Në vitin 2023 u rrit numri i njerëzve me pasiguri akute ushqimore
2024-04-26 17:17:20

Pasiguria ushqimore (Foto Dailyfinland.fi)

Numri i njerëzve që përballen me pasiguri akute ushqimore u rrit në rreth 282 milionë në vitin 2023, një rritje prej 24 milionësh që nga viti 2022, u bë e ditur në raportin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), shkruan “Xinhua”.

Numri i njerëzve në prag të urisë gjithashtu u rrit në mbi 700.000 vitin e kaluar, pothuajse dyfishi i numrit të regjistruar në 2022-shin.

Agjencia e OKB-së bëri thirrje për një përgjigje urgjente.

“Përqindja e popullsisë së vlerësuar në pasiguri akute ushqimore mbeti tepër e lartë në vitin 2023”,- deklaroi drejtori i Emergjencave dhe Rezistencës në FAO, Rein Paulsen, i cili renditi si shkaqe kryesore luftërat, ngjarjet ekstreme klimaterike dhe krizat ekonomike.

“Rripi i Gazës ka numrin më të madh të njerëzve që përballen me urinë katastrofike të regjistruar ndonjëherë nga Raporti Global mbi Krizat e Ushqimit, edhe kur kamionët e bllokuar të ndihmave rreshtohen në kufi”,- deklaroi kreu i OKB-së, Antonio Guterres, në parathënien e raportit.

Mbi 281.6 milionë njerëz, ose 21.5 për qind e popullsisë së vlerësuar në raport, u përballën me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore vitin e kaluar në 59 vende dhe territore.

Situata u përmirësua në 17 vende të tjera, gjë që rezultoi në 7.2 milionë më pak njerëz që vuajnë nga pasiguria akute ushqimore në të njëjtën periudhë. Megjithatë, raporti paralajmëroi se perspektiva për vitin 2024 është e zymtë, pa parashikime të konsiderueshme përmirësimi, dhe me luftëra, mot ekstrem, fuqi të dobët blerëse në vendet me të ardhura të ulëta dhe një rënie në fondet humanitare që pritet të vazhdojë të prekë popullsinë që tashmë po përjeton pasiguri ushqimore. (Irma)