Ministrja Kumbaro: Pritet të bëhet aplikimi për ta përfshirë lumin Vjosa në UNESCO
2024-04-26 17:03:33

Ministrja Kumbaro (Foto Atsh)

Ministrja Kumbaro (Foto Atsh)

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi se ka nisur puna për përfshirjen e lumit Vjosa në listën e pasurive botërore të mbrojtura nga UNESCO, nën programin “Njeriu dhe biosfera”, shkruan “ATSH”.

Kumbaro takoi delegacionin e UNESCO-s që ka mbërritur në Tiranë, i cili do të ndjekë përgatitjen e dosjes së aplikimit.

“E lumtur të prisja në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ekipin e UNESCO-s, me të cilët nisim punën për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore përmes programit “Njeriu dhe biosfera””,- shkroi në rrjetet sociale ministrja Kumbaro.

Sipas saj, ky program global synon të krijojë një bazë shkencore për të përmirësuar marrëdhëniet midis njerëzve dhe natyrës ku jetojnë, për zhvillimin e qëndrueshëm që mbron mjedisin.

“Na pret një punë intensive në përgatitjen e dosjes së aplikimit, që Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të dorëzojnë në UNESCO brenda këtij viti, për t’i dhënë një tjetër pasaportë ndërkombëtare mbretëreshës së lumenjve europianë e për të shtuar një tjetër xhevahir shqiptar në listën e UNESCO”, u shpreh Kumbaro.

Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023. (Irma)