Nisin evakuimet përpara operacionit ushtarak të Izraelit në Rafah
2024-04-26 17:19:38

Ushtare izraelite (Foto Atsh).jpg

Ushtare izraelite (Foto Atsh)

Operacioni i afërt ushtarak i Izraelit në Rafah, bastioni i fundit i mbetur i Hamasit në Gazë, do të fillojë me evakuimin e civilëve që mund të zgjasë deri në pesë javë, raportoi radioja izraelite “Kan”, citon “ATSH”.

“Në këtë fazë të parë të operacionit tokësor, civilët në qytetin jugor pranë kufirit egjiptian do të zhvendosen në vende më të sigurta”, thuhet në raport.

Aleatët dhe kritikët e Izraelit i kanë kërkuar prej disa muajsh kryeministrit Benjamin Netanyahu të anulojë pushtimin e Rafahut, nga frika e viktimave masive civile.

Më shumë se një milion palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës janë strehuar atje. Rafahu është gjithashtu vendi i kalimit kryesor përmes të cilit ndihmat hyjnë në territor.

Pavarësisht presionit që po bëhet mbi Izraelin, qeveria argumenton se duhet të vazhdojë me operacionin tokësor në mënyrë që të arrijë qëllimin e saj për të shtypur grupin militant palestinez Hamas.

Zyrtarët izraelitë thanë se Hamasi ka disa batalione të mbetura në Rafah që duhet të eliminohen në mënyrë që të parandalohet rigrupimi dhe sulmi i tij.

Izraeli gjithashtu beson se disa nga pengjet e rrëmbyer gjatë masakrave të Hamasit të 7 tetorit në Izraelin jugor po mbahen në Rafah. (Irma)