Shqipëri - Rritet numri i përdoruesve të pagesave elektronike
2024-04-26 16:34:20

Pagesa elektronike (Foto Gazetasi)

Përfshirja financiare e popullatës madhore është rritur me ritme të kënaqshme, duke arritur pothuajse 85% të saj.

Drejtoresha e Departamentit të Sistemeve të Pagesave dhe të Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, deklaroi në një intervistë për mediet, cituar nga “ATSH”, se falë punës së Bankës së Shqipërisë për sisteme moderne dhe eficiente për kryerjen e pagesave, është rritur numri i pagesave elektronike në vend.

Sipas saj, zhvillimet e pagesave elektronike kanë kontribuar në përmbushjen e objektivave sasiorë të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023), duke arritur një nivel përdorimi prej 21 pagesash elektronike për frymë për vitin 2023 nga 10 që ishte objektivi i Strategjisë vitin e kaluar.

Bregu vuri në dukje se një tjetër zhvillim i rëndësishëm ka qenë dhe rritja e transaksioneve të procesuara në AIPS EURO gjatë tremujorit të parë të vitit 2024, me gati 36% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

“Vendosja në funksion e këtij sistemi nga Banka e Shqipërisë, vlerësohet se i ka kursyer ekonomisë shqiptare rreth 11 milionë euro vetëm për këtë”,- tha Bregu. (Irma)