Heqja gradualisht e gazeve të fluoruara, mundësi e mirë për të përmirësuar cilësinë e ajrit
2024-04-26 17:01:52

Protokolli per mjedisin (Foto Atsh).jpg

Protokolli për mjedisin (Foto Atsh).jpg

Heqja nga përdorimi në mënyrë graduale e gazeve të fluoruara është një mundësi e mirë për vendet në zhvillim si Shqipëria, për të përmirësuar cilësinë e ajrit, për të rritur efikasitetin e energjisë dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm, deklaroi zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhembulla, gjatë takimin teknik vjetor për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore mbi zbatimin e Protokollit të Montrealit për mbrojtjen e shtresës së Ozonit, organizuar në Tiranë, në bashkëpunim me njësinë e Ozonit dhe programin e Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (UNEP), shkruan “ATSH”.

“Shqipëria është angazhuar për zbatimin me sukses të Protokollit të Montrealit dhe detyrimet për reduktimin e përdorimit të gazeve te fluoruara nëpërmjet krijimit të një licence të posaçme dhe ngritjen e sistemit të kuotave si pjesë e regjistrit elektronik, i cili do të shërbej gjithashtu për administrimin e të dhënave të importit të këtyre gazeve”,- theksoi Xhembulla.

Zv.ministrja u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Njësinë Kombëtare të Ozonit po zbaton me sukses projektet e Protokollit të Montrealit, duke përfshirë strategjitë e heqjes nga përdorimi dhe reduktimit të gazeve F në disa faza, zbatimin e projekteve për forcimin institucional si dhe aktivitetet për krijimin e një inventari të substancave të kontrolluara si dhe për të rritur efikasitetin energjetik të pajisjeve ftohëse.

Ajo shprehu angazhimin për të mbështetur biznesin në sektorin e ftohjes në tranzicionin drejt gazeve ftohëse me potencial më të ulët të ngrohjes globale, per të bashkuar përpjekjet për mbrojtjen e mjedisit, shëndetit dhe zbutjen e ndryshimeve klimaterike. (Irma)