Një korridor i ri ekonomik do të lidhë Turqinë me Gjirin përmes Irakut
2024-04-25 14:50:43

Presidenti turk (Foto Balkanweb)

Presidenti turk (Foto Balkanweb)

Turqia, Irani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nënshkruar një deklaratë për të forcuar lidhjet tregtare përmes një korridori të ri ekonomik në vlerë të 20 miliardë dollarëve, për ndërtim të rrugëve dhe hekurudhave, njofton “RTSH”.

Zëdhënësi i kryeministrit irakian, Mohammed al-Sudani, tha se përfaqësuesit e këtyre shteteve kishin nënshkruar një deklaratë për jetësim të këtij synimi gjatë vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, të hënën në Bagdad.

Dy vendet e pasura të Gjirit janë mbështetëse potenciale të projektit, i cili besohet se do të kapë shifrën e 20 miliardë dollarëve.

Projekti njihet si “Rruga Zhvillimore”, apo “Kanali i thatë”.

Puna në të besohet të përfundohet më 2038-n, kur një rrjet rrugësh dhe hekurudhash të lidhin një port të ri në Basra, në jug të Irakut, me Turqinë në veri. Prej atje, korridori pritet të zgjerohet deri te porti turk të Mersit në Mesdhe, dhe përmes Stambollit në Europë.

Presidenti turk Erdogan e ka përshkruar projektin si "Rruga e re e Mëndafshtë".

Porti i ri në Basra është duke u ndërtuar prej një kompanie koreane jugore, dhe pritet të jetë një prej më të mëdhave në Lindje të Mesme. Irani shpreson që të shndërrojë këtë port në një qendër biznesi në mes të Azisë dhe Evropës. Megjithatë, situata e brishtë e sigurisë në Irak, tensionet politike dhe korrupsioni i përhapur, kanë ngritur pikëpyetje nëse ky port dhe infrastruktura përcjellëse do të përfundohen në afatet e përcaktuara. (Fatosi)