Gjermania planifikon të rifillojë bashkëpunimin me UNRWA-në
2024-04-25 15:31:36

Gaza (Foto Panorama)

Gaza (Foto Panorama)

Ministria e Jashtme dhe Ministria për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim njoftuan se qeveria gjermane pritet të rifillojë së shpejti bashkëpunimin me Agjencinë e OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) në Rripin e Gazës, njofton “ATSH”.

UNRWA-ja, ofruesi kryesor i ndihmës humanitare në Gaza, u përball me një krizë të madhe pasi Izraeli akuzoi dhjetëra punonjës të saj se ishin përfshirë në sulmet e 7 tetorit që shkaktuan vdekjen e rreth 1200 personave.

Disa punonjës u pushuan nga puna pas akuzave. Në ditët dhe javët që pasuan, 16 vende donatore, përfshirë dy donatorët më të mëdhenj, SHBA-në dhe Gjermaninë, pezulluan ose ndaluan financimin, duke e lënë atë me një boshllëk financimi prej rreth 450 milionë dollarë.

Pas akuzave, shefi i OKB-së, Antonio Guterres, premtoi një hetim gjithëpërfshirës. Ekspertët e ngarkuar me hetimin e neutralitetit të OKB-së në kuadër të pretendimeve se disa punonjës të OKB-së ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit ndaj Izraelit rekomanduan forcimin e masave mbrojtëse në tetë zona kritike.

Në të njëjtën kohë, raporti i tyre bëri të ditur se Izraeli deri më tani nuk kishte ofruar prova se disa punonjës ishin anëtarë të organizatave terroriste. (Fatosi)