Ndërtimi i hekurudhës Vorë-Hani i Hotit pritet të nisë brenda vitit
2024-04-25 11:35:01

Hekurudha (Foto Sotnews)

Hekurudha (Foto Sotnews)

Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vlerën prej 98.750.000 eurosh për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Punimet për hekurudhën pritet që të nisin gjatë këtij viti, teksa përfundimi është parashikuar brenda vitit 2030, shkruan “ATSH”.

Sipas draftligjit, projekti konsiston në përmirësimin e linjës hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, duke rritur shpejtësinë e lëvizjes së trenave deri në 120 km/orë në një linjë hekurudhore të elektrifikuar. Projekti parashikon ndërtimin e 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj.

Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore pritet të rritet dhe fluksi i udhëtarëve.

Koha mesatare e udhëtimit nga Vora në Hanin e Hotit pritet të jetë 2 orë.

Kostoja totale e këtij projekti është 373 milionë euro, një pjesë e së cilës do të mbulohet edhe nga buxheti i shtetit, pjesa tjetër nga BERZH-i dhe BE-ja përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe Banka Evropiane e Investimeve. (Fatosi)