Dita e Hapësirës e Kinës: Paraqitja e misioneve të ardhshme hapësinore më 2024
2024-04-24 20:44:34

 

Kina lëshoi raketën e saj “Gravity-1” nga një platformë e lëvizshme detare në brigjet e qytetit Haiyang të provincës Shandong të Kinës Lindore, 11 janar 2024. / CFP

Kina njoftoi në Ditën e saj të Hapësirës (24 prill) se anija kozmike me ekuipazh “Shenzhou-18” do të niset të enjten, ndërsa parashikohen të bëhen rreth 100 misione të nisjes në hapësirë sivjet, duke vendosur një rekord të ri në historinë e eksplorimit hapësinor nga ana e Kinës.

Duke filluar nga viti 2016, 24 prilli kremtohet si Dita e Hapësirës e Kinës për të shënuar nisjen e satelitit të parë kinez “Dongfanghong-1” në hapësirë më 24 prill 1970. Kina kreu 67 misione të nisjes në hapësirë vitin e kaluar, duke u renditur e dyta në botë pas Shteteve të Bashkuara, dhe dërgoi 221 anije kozmike në hapësirë, duke planifikuar të bëjë rreth 100 misione lëshimi në hapësirë këtë vit.

Nisjet përfshijnë fluturimin e parë nga vendi i parë i lëshimeve komerciale të anijeve kozmike të Kinës, i cili tani është në ndërtim në qytetin Wenchang në provincën ishullore jugore kineze Hainan, përveç më shumë lëshimeve satelitore për të formuar konstelacione.

Foto:VCG

Astronautë kinezë takohen në stacionin hapësinor të Kinës "Tiangong"(Foto:VCG)

Foto:VCG

Pamja e Tokës e xhiruar me kamerën e pajisur në stacionoin hapësinor të Kinës(Foto:VCG)

Në gjysmën e parë të këtij viti, Kina nisi “Queqiao-2”, një satelit rele komunikimi midis anës së pasme të Hënës e Tokës, dhe planifikon të lëshojë sondën hënore “Chang'e-6”, një mision për të mbledhur mostra nga ana e pasme e Hënës, e para e këtij lloji në historinë njerëzore.

Instrumentet shkencore nga Franca, Italia dhe Agjencia Evropiane e Hapësirës/Suedia do të jenë në bordin e mjetit zbritës të misionit “Chang'e-6”, me një ngarkesë të Pakistanit në orbitues, sipas Administratës Kombëtare Hapësinore të Kinës. Një satelit gjurmimi për kripësinë e oqeaneve, një satelit monitorimi elektromagnetik dhe një sondë astronomike e krijuar bashkërisht nga Kina e Franca janë gjithashtu në listën e detyrave të Korporatës së Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore të Kinës.

Në Ditën e Hapësirës të këtij viti, Administrata Kombëtare Hapësinore e Kinës (CNSA) deklaroi gjithashtu se më shumë partnerë, duke përfshirë një vend e dy organizata ndërkombëtare, do të marrin pjesë në ndërtimin dhe funksionimin e Stacionit Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore (ILRS).

Foto:VCG

Sonda kineze zbret në Mars, 2021(Foto:VCG)

Partnerët e rinj të ILRS-së përfshijnë Nikaraguan, Organizatën e Bashkëpunimit Hapësinor të Azi-Paqësorit dhe Bashkimin Arab për Astronominë dhe Shkencat Hapësinore.

Ndërtimi i Stacionit Ndërkombëtar të Kërkimeve Hënore do të kryhet në tre faza dhe një model bazë i stacionit pritet të përfundojë deri rreth vitit 2030.(Artan)