Promovimi i EURO 2024, ambasadorja gjermane e futbollit, Steffi Jones viziton Shqipërinë
2024-04-22 16:43:37

Promovimi Euro 2024 (Foto ATSH)

Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë këtë të hënë në “Shtëpinë e Futbollit” një nga futbollistet më të mira në historinë e kombëtares gjermane, Steffi Jones, në kuadër të promovimit të futbollit të vajzave në Shqipëri dhe në rolin e saj si ambasadore e Gjermanisë për Euro 2024, njofton ATSH.

Steffi Jones do të vizitojë ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku do të zhvillojë një orë të hapur diskutimesh me drejtues të FSHF-së, futbollistë, trajnerë dhe gazetarë mbi karrierën e saj, zhvillimin e futbollit të vajzave, Euro 2024 teksa në fokus të takimeve do të jenë edhe temat e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit.

Në vazhdim ajo do të ndjekë një seancë stërvitore të Akademive të vajzave KS "Ali Demi" dhe "Kastriotët", duke u përfshirë në aktivitete dhe biseda me futbollistet. Ndërkohë, Steffi Jones do të vizitojë edhe ambientet e fshatit SOS në Tiranë dhe do zhvillojë biseda me fëmijët mbi futbollin, duke demonstruar disa teknika sportive.

Kampionati Evropian i Futbollit do të zhvillohet këtë vit në Gjermani, nga data 14 qershor deri më 14 korrik, nën moton: “Loja në fushën e vetë për Evropën”. Kampionati do të jetë një festë e madhe e futbollit, një festë për të gjithë Evropën.(Fatosi)