Ministri Gonxhja: T’i kthejmë Cirkut shqiptar lavdinë e dikurshme
2024-04-22 16:38:40

Trupa e cirkut (Foto ATSH)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja,  ka deklaruar se  “sfida jonë është për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm”. Gonxhja ndau në rrjetet sociale momente nga shfaqja dhe performanca e parë e akrobatëve shqiptarë, tha se “Cirku është një hapësirë ku shkëputesh nga realiteti, duke u bërë pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij”.

Këtë vit shënohet 65-vjetori i Cirkut Kombëtar, i vetmi në Ballkan për llojin e tij. "Kjo na sjell para një sfide të vështirë, për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm" shkroi ministri Gonxhja. Në Ditën Ndërkombëtare të Cirkut, ai shprehu mirënjohje për artistët e cirkut dhe emocionet magjike që kanë përcjellë përmes performacës tyre.

“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë artistët e mrekullueshëm, për çdo emocion dhe të qeshurat pafund që ata kanë dhuruar ndër vite, duke e bërë cirkun një nga format e artit më të dashura për të gjithë”, tha Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja.(Fatosi)