Konflikti me Iranin, “Standard & Poor's” ul vlerësimet për Izraelin
2024-04-21 15:53:06

Agjencia e vlerësimit të kredisë “Standard & Poor's” (S&P) ka ulur vlerësimin e kredisë së qeverisë izraelite në A+ nga AA-, me perspektivën që mbetet negative, njoftoi Ministria izraelite e Financave, citon “Xinhua”.

Zyrtarët ekonomikë izraelitë thanë se vendi duhet të veprojë me përgjegjësi fiskale për të siguruar rritjen afatgjatë të ekonomisë dhe një ulje të raportit të borxhit ndaj PBB-së.

Analistët e “S&P” shpjeguan se rritja e fundit e konfrontimit me Iranin rrit rreziqet gjeopolitike tashmë të ngritura për Izraelin. Perspektiva negative pasqyron rrezikun që konflikti izraelito-palestinez dhe konfrontimi me Hezbollahun mund të përshkallëzojë ose të ndikojë në parametrat ekonomikë, fiskalë dhe të bilancit të pagesave të Izraelit më shumë sesa pritet.

Agjencia parashikon që deficiti i qeverisë së Izraelit do të zgjerohet në 8 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) këtë vit, nga 6.7 për qind e PBB-së vitin e kaluar dhe 1.8 për qind në vitin 2022, i nxitur kryesisht nga rritja e shpenzimeve të mbrojtjes.

Agjencia pret që rritja ekonomike e Izraelit të jetë 0.5 për qind në 2024-n, pas rritjes prej 2 për qind në 2023-shin.