Foto nga VCG
Gjigandi kinez i teknologjisë "Huawei" publikoi të martën në Shenzhen të Kinës Jugore "HarmonyOS NEXT", sistemin operativ të krijuar prej kësaj kompanie dhe që është i pavarur prej arkitekturës së "Android"-it.
"HarmonyOS NEXT", brezi i pestë i "HarmonyOS", ka përmirësime për sa i përket funksionimit, sigurisë së sistemit dhe përvojës së përdorimit në krahasim me versionet e mëparshme, të formuara pjesërisht mbi Projektin me Burim të Hapur të "Android"-it (AOSP) dhe që kësisoj kanë nevojë për përputhshmëri me disa aplikacione "Android". Megjithatë, "HarmonyOS NEXT" i ri është tërësisht i vetëzhvilluar, me një themel plotësisht të pavarur. Kjo ka përmirësuar ndjeshëm lirshmërinë e përdorimit, funksionimin dhe sigurinë e sistemit, duke realizuar kontroll të plotë mbi sistemin operativ.
Foto nga VCG
Foto nga VCG
Sipas kompanisë së vëzhgimit të tregut "Counterpoint Research", "HarmonyOS" zinte 17 % të tregut të smartfonave të Kinës në tremujorin e parë të këtij viti, duke tejkaluar 16 % të sistemit iOS dhe duke u bërë sistemi i dytë operativ më i përhapur në Kinë pas "Android"-it, që zuri 67 %. "Huawei" deklaroi se "HarmonyOS" i saj renditet i dyti në tregun kinez, me 6.7 milionë zhvillues të regjistruar dhe mbi 1 miliard pajisje.
Zv.drejtori i Institutit të Zhvillimit të Kinës Cao Zhongxiong beson se "HarmonyOS" mund të ketë ndikim thelbësor në industrinë prodhuese të Kinës në të ardhmen e mund të bëhet infrastruktura themelore e ekonomisë digjitale të Kinës e të botës.