Organi i planifikimit ekonomik i Kinës përcakton programin për muajt e ardhshëm
2024-10-24 12:30:14

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës ka shpallur ndryshime të shumta në funksionimin ekonomik që nga shtatori, teksa ekonomia kineze u rrit me 4.8 për qind në tre tremujorët e parë të vitit, duke ndihmuar në hedhjen e themeleve të forta për përmbushjen e objektivave dhe të detyrave të mbarë vitit. 

Sipas organit më të lartë të planifikimit ekonomik të Kinës, politika e tregtimit me këmbim të mallrave të konsumit do të sjellë gradualisht efekt në konsum, investimet qeveritare do të luajnë rol më të mirë e eksportet do të vijojnë të jenë të qëndrueshme.

Një numër politikash dhe masash shtesë do të vazhdojnë të zbatohen, duke përfshirë shtimin e bonove të posaçme të përdorura si kapital, përmirësimin e standardit të subvencioneve të ndihmës financiare për studentët dhe zgjerimin e sferës së kësaj politike, duke rritur kreditë për studentët e pasuniversitarët dhe duke nxitur uljen e normës së interesit të këtyre kredive. 

Në të ardhmen, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës planifikon që të heqë më tej pengesat e hyrjes në treg, si edhe të nxisë pjesëmarrjen më të madhe të kapitalit privat në ndërtimin e veprave energjetike e të transportit dhe në zbatimin e projekteve të tjera të mëdha të ndërtimit të infrastrukturës, të mbështesë ndërmarrjet private të kualifikuara që të luajnë rol udhëheqës në marrjen përsipër të detyrave të mëdha të kërkimit teknologjik në rang kombëtar dhe ta hapë më tej infrastrukturën kombëtare të kërkimit teknologjik ndaj kompanive private.