Udhëheqësit e vendeve të BRICS-it publikojnë deklaratë të përbashkët
2024-10-24 12:24:42

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Udhëheqësit e vendeve të BRICS-it kanë publikuar një deklaratë të përbashkët mbi një gamë të gjerë çështjesh, që nga reforma e Kombeve të Bashkuara deri te konfliktet globale në vazhdim, pas samitit të zhvilluar të mërkurën në Kazan të Rusisë. 

Deklarata përfshin gjithsej 134 dispozita, një prej të cilave trajton reformën e OKB-së. 

"Ne përsërisim mbështetjen tonë për një reformë tërësore të OKB-së, duke përfshirë Këshillin e Sigurimit të saj, me qëllim për ta bërë atë më demokratike, më përfaqësuese dhe më efektive," theksohet në dokument. Kjo përfshin zgjerimin e përfaqësimit të vendeve në zhvillim për t'iu përgjigjur më mirë sfidave globale. 

Po ashtu, udhëheqësit ritheksuan dënimin absolut prej tyre të terrorizmit të të gjitha formave dhe kërkuan miratimin e menjëhershëm nga OKB-ja të Konventës së Gjithanshme mbi Terrorizmin Ndërkombëtar. 

Përveç reformave thelbësore, anëtarët e BRICS-it i bënë thirrje OKB-së të luajë një rol të rëndësishëm në qeverisjen globale të inteligjencës artificiale.

Deklarata u përqendrua gjithashtu në konfliktet globale, duke përfshirë ato në Lindjen e Mesme e Ukrainë. 

"Ne mbetemi të shqetësuar rreth shtimit të dhunës dhe konflikteve të armatosura që po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të botës," thuhet në deklaratë. Krerët e BRICS-it përsëritën angazhimin e tyre për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve nëpërmjet diplomacisë. 

Ata shprehën shqetësim të thellë edhe rreth tensioneve në vazhdim në Rripin e Gazës dhe kërkuan një armëpushim të menjëhershëm dhe një ndalim të të gjitha armiqësive. 

Udhëheqësit vunë në dukje rëndësinë e formimit të një shteti sovran e të pavarur palestinez brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht të qershorit 1967 dhe shprehën mbështetje për anëtarësimin e plotë të Palestinës në OKB. 

Shtetet anëtare të BRICS-it përmendën gjithashtu qëndrimet e veta mbi krizën ukrainiane dhe "kanë vënë re duke i vlerësuar propozimet përkatëse" që synojnë një zgjidhje paqësore të konfliktit me anë të diplomacisë.

Udhëheqësit e BRICS-it shprehën më tej shqetësim të thellë rreth ndikimit të dëmshëm të sanksioneve të paligjshme të njëanshme mbi ekonominë botërore, duke vënë në dukje se ato ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike, energjinë e sigurinë ushqimore dhe përkeqësojnë varfërinë. 

Anëtarët e BRICS-it theksuan nevojën për të parandaluar një garë armatimi në hapësirë dhe kërkuan hartimin e një dokumenti që garanton sigurinë e hapësirës. 

Deklarata përmban gjithashtu nisma të ndryshme ekonomike për të forcuar rolin e vendeve në zhvillim në ekonominë botërore dhe për të nxitur kushte të barabarta për të gjithë. 

Vendet anëtare të BRICS-it kërkuan reformimin e institucioneve të "Bretton Woods" për të rritur kontributin e vendeve në zhvillim në ekonominë botërore. 

Ato mirëpritën krijimin e një platforme të re investimesh të BRICS-it, e cila do të përdorë infrastrukturën institucionale ekzistuese të Bankës së Re të Zhvillimit për të nxitur fluksin e investimeve në vendet e BRICS-it dhe në vendet e Jugut Global.

Vendet anëtare të BRICS-it bënë thirrje për reformë në strukturën financiare ndërkombëtare të tanishme,  me qëllim që ajo "të përballojë sfidat financiare globale" e të bëhet më përfshirëse dhe më e drejtë.