Foto nga China Daily
Mbi 60 zyrtarë dhe studiues të të drejtave të njeriut nga Kina e vendet evropiane, duke përfshirë Gjermaninë, Britaninë, Suedinë, Francën, Italinë, Spanjën, Portugalinë dhe Republikën Çeke, u mblodhën në Berlin të martën për një seminar lidhur me mbrojtjen e "të drejtave të reja".
Seminari trajtoi çështje kryesore, duke përfshirë të drejtat shoqërore, pabarazinë ekonomike, ndërthurjen e teknologjisë digjitale me të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontekstin e ndryshimit të klimës.
Ma Huaide, zv.kryetari i Shoqatës për Studimet e të Drejtave të Njeriut dhe rektor i Universitetit të Shkencave Politike dhe Drejtësisë të Kinës, tha se mbrojtja e të drejtave të reja është bërë një çështje e re në zhvillimin botëror të të drejtave të njeriut.
Ma theksoi përpjekjet e Kinës për mbrojtjen e të drejtave të sigurisë e të privatësisë në internet të shtetasve, si edhe nxitjen e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të gjelbër. Ai bëri thirrje gjithashtu për bashkëpunim global për të zbatuar parimin e "vënies së njeriut në qendër" për të promovuar multilateralizmin e vërtetë, për të shmangur çekuilibrat në qeverisjen botërore të të drejtave të reja dhe për të nxitur konsensusin nëpërmjet hapjes dhe barazisë.
Ndërsa Helga Zepp-LaRouche, themeluese dhe drejtore e institutit gjerman të studimit të politikave "Schiller", vlerësoi vizionin e Kinës për një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe nismat si Nisma e Zhvillimit Global, Nisma e Sigurisë Globale e Nisma e Qytetërimit Global, të cilat i kalojnë interesat e ngushta gjeopolitike dhe trajtojnë nevojat moderne të të drejtave të njeriut.
Jure Zovko, kryetar i Akademisë Ndërkombëtare për Filozofinë e Shkencave, theksoi rëndësinë e dialogut ndërmjet qytetërimeve, duke bërë thirrje për mësim të ndërsjellë për të mbrojtur qeniet njerëzore dhe kushtet e tyre të jetesës, duke zbutur rreziqet e lidhura me globalizimin.
Ky seminar, i mbajtur për herë të parë në vitin 2015 dhe që deri tani është zhvilluar tetë herë, përbën një platformë të institucionalizuar për shkëmbime të thella e bashkëpunim mbi të drejtat e njeriut ndërmjet Kinës dhe Evropës.