Zhvillohet dialogu mes mediave të vendeve të BRICS-it
2024-10-24 16:19:26

Të mërkurën u zhvillua në Kazan dialogu mes mediave të vendeve të BRICS-it, i organizuar nga Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe Kompania Kombëtare Mbarëruse e Radiotelevizionit. Tema kryesore e dialogut është "Shkëmbimet e ndërsjella, bashkësia e fateve të përbashkëta". Zyrtarë qeveritarë dhe të mediave kryesore të vendeve të BRICS-it shkëmbyen mendime për transmetimin siç duhet të historisë së modernizimit të vendeve të BRICS-it dhe të lajmeve gjithëpërfshirëse, objektive dhe të drejta. Ata shprehën shpresën që, në të ardhmen, mediat e vendeve të BRICS-it do të thellojnë bashkëpunimin për të dhënë kontribut për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta.

Në fjalimin e mbajtur në dialog, drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh se mediat e vendeve të BRICS-it i përmbahen gjithmonë shpirtit të BRICS-it të hapjes, gjithëpërfshirjes dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta dhe përpiqen të bëhen përhapëse të vlerave të përbashkëta, mbrojtëse të qytetërimeve të ndryshme dhe pioniere të shkëmbimeve kulturore njerëzore. Ai shprehu shpresën se mediat e vendeve të BRICS-it do të forcojnë më tej ndërlidhjen për të çuar përpara bashkëpunimin e BRICS-it.

Shen Haixiong paraqiti tre propozime në këtë fushë. Së pari, duhet të flitet me një zë të përbashkët për të rrëfyer siç duhet historinë e bashkëpunimit drejt modernizimit. Së dyti, duhet të nxitet zhvillimi i përbashkët dhe të krijohet sistemi i bashkëpunimit në fushën e transmetimit të lajmeve, risive, kulturës, turizmit, sporteve etj. Së treti, duhet të përhapen vlerat e përbashkëta duke forcuar aftësinë e përballimit me mjedisin e opinionit publik ndërkombëtar.

Në dialog u zhvillua ceremonia e nisjes së transmetimit në mediet kryesore të vendeve të BRICS-it të dokumentarëve të CMG-së "Kina përtej ëndrrave tuaja" dhe "Bukuria e përbashkët". "Kina përtej ëndrrave tuaja" paraqet idenë e re të zhvillimit të Kinës dhe sukseset e arritura në zhvillim nga syri i të huajve, ndërsa "Bukuria e përbashkët" tregon historinë e shkëmbimeve mes qytetërimeve të vendeve të BRICS-it.

Po të mërkurën, Agjencia Ndëkombëtare e Videolajmeve e CMG-së nisi shërbimet e lajmeve "Koha e BRICS-it", të cilat do t'u ofrojnë vendeve të BRICS-it lajme, sinjale transmetimi të drejtpërdrejtë, programe dhe ndërlidhje. (Fani)