FMN: Ukraina ka nevojë për mbështetje buxhetore prej 42 miliardë dollarësh
2024-04-20 20:57:30

foto: ATSH

foto: ATSH

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, deklaroi se qeveria ukrainase do të ketë nevojë për një mbështetje buxhetore me vlerë 42 miliardë dollarë këtë vit, shkruan “ATSH”.

“Ne kemi besim se kjo nevojë do të plotësohet”,- tha ajo në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, në Uashington.

Ajo vlerësoi vendosmërinë e jashtëzakonshme të ukrainasve dhe tha se mbështetja për Ukrainën mbetet e qëndrueshme ndërsa vendi vazhdon të jetë jetë i përfshirë në konfliktin e vazhdueshëm.

Por, Georgieva tha se rezultati më i mirë për botën do të ishte fundi i luftës në Ukrainë dhe fundi i luftës në Rripin e Gazës gjithashtu.

FMN-ja po mbështet Ukrainën me një program kredie që u miratua rreth një vit më parë. Ai ka një afat prej katër vjetësh dhe synon t’i japë Ukrainës akses në 15.6 miliardë dollarë.

Disa javë më parë, FMN-ja miratoi një injeksion të mëtejshëm financiar për Ukrainën nga programi, duke i mundësuar vendit të tërheqë 880 milionë dollarë.