Papunësia afatgjatë te të rinjtë arrin nivelin më të lartë që nga 2017-a
2024-04-20 11:31:58

Papunësia afatgjatë te të rinjtë shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023, edhe pse tregjet e punës dhe sektorët e ekonomisë po importojnë punonjës të huaj për të përmbushur nevojat, shkruan “Panorama”.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në fund të tremujorit të katërt 2023, papunësia afatgjatë te grupmosha 15-29 vjeç arriti në 14.3%, me rritje 2 pikë për qind nga e njëjta periudhë e vitit 2022.

Madje në tremujorin e tretë 2023, papunësia afatgjatë te kjo grupmoshë ishte 15%, nga 11.9% në tremujorin e tretë 2022.

Shkalla e papunësisë afatgjatë mat papunësinë në lidhje me kohëzgjatjen e papunësisë.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se papunësia afatgjatë te të rinjtë e moshës 15-29 vjeç arriti në nivelin më të lartë që nga viti tremujori i parë i vitit 2017.

Papunësia te të rinjtë po rritet teksa kjo grupmoshë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 22% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 0.6 pikë përqindje. Ndërsa për grupmoshën 30-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 7.9% në tremujorin e fundit 2023.