Studimi: Të ardhurat mesatare botërore do të bien me gati një të pestën deri në vitin 2050 nga kriza klimaterike
2024-04-19 15:08:17

Kriza klimaterike (Foto Rtsh)

Të ardhurat mesatare do të bien me pothuajse një të pestën brenda 26 viteve të ardhshme si rezultat i krizës klimaterike thuhet në një studim të ri, që tregon se kostot e dëmit janë gjashtë herë më të larta se çmimi i kufizimit të ngrohjes globale në 2 gradë Celsius, shkruan “RTSH”.

Rritja e temperaturave, reshjet më të dendura dhe moti ekstrem më i shpeshtë dhe intensiv parashikohet të shkaktojnë 38 trilionë dollarë shkatërrim çdo vit nga mesi i shekullit, tregon hulumtimi i botuar në revistën “Nature”.

Sipas studimit, humbja mesatare e përhershme e të ardhurave në mbarë botën do të jetë 19% deri në vitin 2049.

Në Shtetet e Bashkuara dhe Europë ulja është rreth 11%, ndërsa në Afrikë dhe Azinë Jugore është 22%.

“Kjo është shkatërruese. Jam mësuar që puna ime mos të ketë rezultate të mira shoqërore, por u befasova se sa të mëdha ishin dëmet. Dimensioni i pabarazisë ishte vërtet tronditës”,- deklaroi Leonie Wenz, shkencëtare në Institutin e Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimaterik dhe një nga autorët e studimit.

Studimi shqyrtoi gjithashtu gjysmën e dytë të këtij shekulli, ku veprimet njerëzore tani mund të bëjnë ende një ndryshim të madh. Autorët parashikuan humbje mesatare të të ardhurave prej më shumë se 60% deri në vitin 2100. Por nëse emetimet bien në zero deri në mesin e shekullit, atëherë rënia e të ardhurave do të stabilizohet në mesin e shekullit në rreth 20%.

Goditja ekonomike e parashikuar është më shumë se dy herë më e lartë se çdo analizë e mëparshme.

Pas këtij ndryshimi qëndron një metodologji më e sofistikuar. Ndërsa shumica e studimeve të mëparshme morën parasysh vetëm dëmet që lidhen me rritjen e temperaturave në nivel kombëtar, dokumenti përfshiu gjithashtu reshjet dhe ndikimet ekstreme të motit duke përdorur të dhëna 40 vjeçare nga 1600 rajone. Studimi shqyrtoi gjithashtu se si ndikimet tentojnë të vazhdojnë gjatë muajve dhe viteve.

Sipas studimit, më të prekura do të jenë vendet në rajonet tashmë të nxehta duke përfshirë Botsvanën, Malin, Irakun, Katarin, Pakistanin dhe Brazilin.

Autorët thanë se studimi tregoi nevojën për strategji më të forta përshtatjeje, veçanërisht në vendet më të varfra dhe të prekura më keq, për të përballuar ndryshimet deri në vitin 2050. (Irma)