UNICEF: Mbi 13 mijë viktima mes fëmijëve nga lufta në Gaza
2024-04-19 15:19:27

Viktimat ne Gaza (Foto Rtsh)

Drejtoresha ekzekutive e Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), Catherine Russell, deklaroi se gati 13.800 fëmijë janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës.

Gjatë një konference për shtyp në Nju Jork ajo tha se mijëra janë lënduar dhe mijëra të tjerë janë në prag të urisë, shkruan “RTSH”.

Në një deklaratë të veçantë, Enti i OKB-së për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave bëri të ditur se një fëmijë lëndohet ose vdes çdo 10 minuta në Gaza.

Më shumë se 10.000 gra janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, duke pas gati 19.000 fëmijë jetimë.

Specialistja e komunikimit e UNICEF-it, Tess Ingram, e cila së fundi vizitoi Gazën, tha se ajo që e goditi më shumë ishte numri i fëmijëve të plagosur, në spitale, në rrugë dhe në strehimoret e improvizuara. (Irma)