Shkencëtarët identifikojnë zvarranikun prehistorik më të madh të detit
2024-04-19 15:12:43

Specie detare prehistorike (Foto RTSh)

Specie detare prehistorike (Foto RTSh)

Shkencëtarët kanë identifikuar atë që ishte ndoshta zvarraniku më i madh detar që ka notuar ndonjëherë në dete, një krijesë më e gjatë se dy autobusë, e cila mendohet se ka jetuar rreth 202 milionë vjet më parë së bashku me dinozaurët, shkruan “RTSH”.

Një nofull e fosilizuar u gjet në vitin 2016 nga një gjuetar fosilesh në një plazh të Somerset në Angli. Ndërsa në vitin 2020, një burrë dhe vajza e tij gjetën një nofull të dytë, shumë të ngjashme.

Ekspertët tani thonë se fosilet janë nga dy zvarranikë gjigantë “ichthyosaur”, të cilët mund të kenë qenë 25 metra të gjatë.

“Bazuar në madhësinë e kockave të nofullës, njëra prej tyre mbi një metër e gjatë dhe tjetra dy metra, mund të kuptojmë se e gjithë kafsha do të kishte qenë rreth 25 metra e gjatë, afërsisht sa një balenë blu”,- deklaroi Dean Lomax, paleontolog në Universitetin e Bristolit, autor i punimit shkencor.

Por, ai thotë se nevojiten më shumë prova, si një kafkë dhe skelet i plotë, për të konfirmuar madhësinë e saktë të krijesës, sepse deri më tani janë gjetur vetëm disa fragmente. (Irma)