Kryediplomati europian: BE-ja duhet të dërgojë sisteme mbrojtëse në Ukrainë
2024-04-19 14:47:07

Foto:VCG

Foto:VCG

Shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në BE, Joseph Borrell, deklaroi se vendet e Bashkimit Evropian duhet të dërgojnë sistemet e tyre antiraketë për të forcuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke shtuar se Evropa nuk mund të mbështetet vetëm te SHBA-ja, shkruan “RTSH”.

“Ne kemi Patriotët, ne kemi sisteme kundër raketave. Ne duhet t'i nxjerrim nga kazermat tona, ku janë për çdo rast dhe t'i dërgojmë në Ukrainë. Nuk mund të mbështetemi vetëm te SHBA-ja, ne duhet të marrim përgjegjësinë tonë”,- tha Borrell.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës ishte një çështje kyçe për ministrat e G7-s të mbledhur në Itali, ku u tha se duhet bërë më shumë për të ndihmuar Ukrainën.

Më shumë se dy vjet nga nisja e konfliktit me Rusinë, Ukraina po përballet me mungesë municionesh, me financimin jetik nga SHBA të bllokuar nga republikanët në Kongres për muaj të tërë dhe BE-ja nuk arrin të dorëzojë municione të mjaftueshme në kohë. (Irma)