Maqedoni e Veriut, nis fushata zgjedhore për parlamentaret
2024-04-19 14:55:18

Foto nga CFP

Zgjedhjet ne Maqedoni (Foto Rtsh)

Në Maqedoninë e Veriut ka nisur fushata për zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ndërsa më 22 prill do të nisë fushata për zgjedhjet presidenciale. Fushata për zgjedhjet e përgjithshme do të zhvillohet edhe gjatë heshtjes zgjedhore për garën presidenciale që mbahet më 24 prill, shkruan “RTSH”.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga Talat Xhaferi, vendosi një ditë më parë që datat 24 prill dhe 8 maj të jenë ditë pushimi në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të votuar. Qeveria e përkohshme që drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar është ngarkuar me organizimin e dy palë zgjedhjeve.

“Fronti Evropian” dhe koalicioni “VLEN” janë dy formacionet politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut që do të garojnë në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, garon për “Frontin Europian” që drejtohet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, ndërsa kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, do të përfaqësojë koalicionin opozitar “VLEN”. (Irma)