30 autobusë të rinj kinezë i shtohen flotës malteze
2024-04-19 16:13:45

Autobuset kineze ne Malte (Foto Maltatoday)

Sistemi i transportit publik të Maltës u shtua me 30 autobusë të rinj “King Long” të prodhuar nga Kina, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e numrit në rritje të pasagjerëve, shkruan “Xinhua”.

Transporti Publik i Maltës ka investuar më shumë se 8 milionë euro (8.5 milionë dollarë amerikanë) në autobusët e rinj, të cilët janë të pajisur me teknologjinë dizel Euro 6, karikues USB dhe WiFi falas.

Autobusët e rinj u prezantuan nga ministri i Transportit, Infrastrukturës dhe Punëve Publike, Chris Bonett, dhe kreu i Transportit Publik, Felipe Cosmen.

Bonett tha se investimi pasqyron një kërkesë gjithnjë në rritje për opsione transporti të besueshme dhe të qëndrueshme në të gjithë vendin.

Statistikat zyrtare tregojnë një rritje prej 19 për qind të numrit të pasagjerëve që kanë udhëtuar me autobus gjatë tre muajve të parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me gjithsej 17.2 milionë pasagjerë në tre muajt e parë të vitit 2024.

Ka gjithashtu plane për të futur 120 autobusë plotësisht elektrikë, me zero emisione, deri në fund të vitit 2025, tha Bonnett. Këta do të zëvendësojnë autobusët aktualë me naftë, të cilët duhet të çojnë në një reduktim të ndjeshëm të emetimeve të karbonit në sektorin e transportit, shtoi ai.  (Irma)