Ministri Gonxhja: Fondi Rajonal i Sfidave, rrit punësimin dhe forcon konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve
2024-04-18 11:30:26

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja (Foto ATSH)

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja (Foto ATSH)

Shpallen fituesit e thirrjes së tretë në kuadrin e Fondit Rajonal të Sfidave. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se ky fond është një instrument financimi i krijuar për të rritur punësimin, me fokus te të rinjtë, si dhe për të forcuar konkurrueshmërinë e sipërmarrjeve në vendet e Ballkanit Perëndimor, shkruan “ATSH”.

Me iniciativën e Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Punësimit, Aftësimit dhe Sigurimeve Shoqërore dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, si dhe përfaqësuesit e KfW-së dhe të Bashkëpunimit Zviceran për Zhvillim, është krijuar “Dritarja unike” vetëm për Shqipërinë me një vlerë prej 10 milionë eurosh.

Në thirrjen e tretë janë shpallur 10 konsorciume fituese, nga të cilat 7 institucione publike të arsimit dhe formimit profesional, të cilat përfitojnë fondin 5.390.834 euro.

Ministri Gonxhja tha se nëpërmjet këtyre projekteve dhe financimeve, shkollat profesionale dhe qendrat publike të formimit profesional plotësojnë një pjesë të nevojave të tyre që janë të lidhura me infrastrukturën, pajisjet/laboratorët apo trajnimet e stafeve drejtuese dhe mësimdhënëse, duke hapur rrugën për zhvillim të arsimit dhe bashkëpunimit me sektorin privat e duke rritur mundësitë e punësimit sipas standardeve më të larta të kualifikimit. (Elona)