Eksportet e mallrave shënuan rritje me 3.4% në mars
2024-04-18 11:53:48

Foto nga ATSH

Në raportin për tregtinë e jashtme, të publikuar nga Instituti i Statistikave, bëhet e ditur se eksportet e mallrave në muajin mars arritën vlerën 33 miliardë lekë, duke u rritur me 3.4%, në krahasim me shkurt 2024. Por, ato ishin 21% më të ulëta, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan “ATSH”.

Sipas raportit të INSTAT-it, në rënien vjetore të eksporteve prej 21% kanë ndikuar negativisht grupet “tekstile dhe këpucë” me 7.2 pikë përqindje, “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 5.8 pikë përqindje, “materiale ndërtimi dhe metale” me 4.6 pikë përqindje, etj.

Importet e mallrave arritën vlerën 75 miliardë lekë, duke u ulur me 7%, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 1.3% në krahasim me shkurtin 2024.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 42 miliardë lekë, duke u rritur me 8.3%, krahasuar me marsin e 2023-shit dhe duke u ulur me 0.4%, në krahasim me shkurtin e 2024-s.(Elona)