Ministri Peleshi: Industria ushtarake shqiptare ka nevojë për investitorët privatë
2024-04-18 10:58:05

Foto nga RTSH

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, deklaroi se qeveria synon të japë te privatët për shfrytëzim kombinatet dhe uzinat e dikurshme ushtarake.

Sipas ministrit Peleshi, janë të mirëpritur si investitorë të huaj ashtu edhe ata vendas, ndërsa theksoi se rivitalizimi i industrisë ushtarake shqiptare vjen si nevojë e kërkesës për municione nga shtimi i konflikteve në botë, shkruan “RTSH”.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë,ministri Peleshi theksoi se me krijimin e shoqërive aksionere do të jenë këto të fundit që do të paguajnë pagat dhe detyrimet e tjera dhe nuk do të rrjedhin nga buxheti i shtetit.

“Vendi ka nevojë për investime nga investitorët privatë, jo nga shteti, sepse ne jemi në proces që të marrë një trajtë më komerciale dhe ne jemi të hapur në pritje të ofertave të ndryshme nga aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, por pse jo edhe sipërmarrëse vendase për ta riaktivizuar apo për ta vënë në punë apo për të zhvilluar industri të reja ushtarake”,- tha ministri Peleshi.

Sipas tij, projektligji i miratuar nga Kabineti Qeveritar do të marrë rrugën e vet për të shkuar drejt Parlamentit, ku pritet të miratohet.

“Shoqëritë aksionere këto detyrime duhet t’i paguajnë vetë dhe duhet të dalin me fitim e nuk duhet të krijojnë borxhe, por edhe nëse krijojnë detyrime nuk është buxheti i shtetit ai që i paguan”,- tha ai.

“Kur flasim për ish-industrinë tonë ushtarake, kemi kombinatin e Poliçanit, kemi uzinën e lëndëve plasëse të Mjekësit dhe kombinatin e Gramshit. Poliçani nuk ka aktivitet, ndërsa Mjekësi dhe Gramshi kanë një aktivitet që lidhet me demontimin dhe sigurojnë disa të ardhura për veten e tyre. Ka pasur interesime nga investitorë dhe kompani të huaja që kanë ardhur dhe kanë vizituar dhe kanë parë potencialet e mundshme. Ne duam të ndryshojmë qasjen nga Shqipëria 1 euro te Shqipëria partnere në çdo investim të përbashkët”,- deklaroi ministri Peleshi.(Elona)