FMN: Ekonomia globale parashikohet të rritet deri në 3.2%
2024-04-18 11:18:56

Foto nga VCG

Rritja globale parashikohet të arrijë në 3.2% në vitin 2024, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), duke tejkaluar parashikimin e tij të janarit prej 3.1%.

FMN-ja ka parashikuar një rritje prej 3.2% edhe në vitin 2025, shkruan “ATSH”.

Ekonomia botërore është goditur nga sfida vitet e fundit, nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit të lidhura me pandeminë dhe rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, te politika e shtrënguar monetare që synon frenimin e inflacionit.

FMN-ja vuri në dukje se, në përgjithësi, frika e rritjes së çmimeve dhe pagave me një ritëm të pakontrolluar, të cilësuar nga ekonomistët si spiralja paga-çmim, nuk është materializuar.

FMN-ja sheh më shumë probleme për ekonominë gjermane, duke parashikuar një rritje prej vetëm 0.2% për vitin aktual. Kjo do të ishte rritja më e dobët e të gjitha vendeve kryesore të industrializuara të G7-s për vitin aktual. 

Megjithatë, ka disa shenja përmirësimi dhe fondi pret që ekonomia gjermane të rritet me 1.3% në vitin 2025. (Elona)