Konferenca e Interpolit në Tiranë, ministri Balla: Shqipëria është kthyer në kryeqytetin e Ballkanit
2024-04-18 10:56:41

Foto nga RTSH

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi se më 11-13 qershor Tirana do të presë Konferencën Rajonale Evropiane të Interpolit, ku do të jenë të pranishëm drejtuesit e të gjitha Ministrive të Brendshme dhe të Policive të Shtetit të vendeve të Evropës, shkruan “RTSH”.

Ministri Balla tha se tashmë Shqipëria është kthyer në kryeqytetin e rajonit të Ballkanit duke mirëpritur samite të rëndësishme.

“Ky është një vlerësim për Shqipërinë dhe për rezultatet e mira të arritura nga Policia e Shtetit kundër krimit të organizuar dhe pandëshkueshmërisë. Ky është një moment që natyrshëm do të shërbejë edhe për mirëpritur në Shqipëri drejtuesit e Ministrive të Brendshme dhe drejtuesit e Policive të Shtetit të të gjithë vendeve të Evropës dhe do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh me të gjitha policitë e vendeve evropiane. Shqipëria është kthyer në kryeqytetin e Ballkanit ku mirëpret edhe samitet e BE-së dhe samitet e Procesit të Berlinit dhe këtë herë edhe të Interpolit”,- tha ministri Balla.

Ai njoftoi dhe vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për aplikimin online për marrjen e licencimit të bizneseve që tregojnë lëndë piroteknike dhe rritja e kushteve të sigurisë për magazinim e tyre.

“Kjo ka të bëjë me shqetësimin e qytetarëve ku Policia e Shtetit vijon të marrë ankesa për përdorimin në mënyrë të parregullt të lëndëve piroteknike. Qeveria miratoi rregulla të reja për mënyrën e pajisjes me licencë dhe me sigurinë lidhur me magazinim e lëndëve piroteknike. Aplikimet do të jenë online për licencimin dhe do të lehtësohet procedura”,- tha ministri Balla.(Elona)