Raporti: Sektori gjerman i transportit duhet të reduktojë menjëherë emetimet
2024-04-17 10:51:07

Foto nga VCG

Sektori i transportit i Gjermanisë tejkaloi objektivat e tij të emetimeve për vitin 2023 dhe duhet të nisë një program të menjëhershëm të reduktimit të emetimeve, sipas raportit të auditimit të publikuar nga Këshilli i Ekspertëve për Ndryshimet Klimaterike.

Me gjithë një rënie të lehtë në krahasim me vitin e kaluar, raporti i auditimit thotë se sektori i transportit i vendit ka rezultuar shumë larg objektivit të tij me 12.8 milionë tonë ekuivalente të dioksidit të karbonit, bën të ditur “Xinhua”.

Hans-Martin Henning, kryetar i këshillit të ekspertëve, tha se dështimi i përsëritur i Gjermanisë për të përmbushur objektivin vjetor konfirmon nevojën e saj për të zbatuar veprime të menjëhershme, siç urdhëroi një vendim gjykate nëntorin e kaluar.

Reagimi i qeverisë gjermane ndaj situatës është ende duke u përcaktuar. Megjithatë, raportet sugjerojnë se ministri i Transportit Volker Wissing po kërkon të shtyjë një amendament të ligjit për të shfuqizuar objektivat specifike të sektorit.

Wissing paralajmëroi javën e kaluar se veprimi i menjëhershëm do të kërkonte masa kufizuese që janë të vështira për t'u komunikuar me popullatën, siç janë ndalimet gjithëpërfshirëse dhe të pacaktuara të drejtimit të automjeteve të shtunave dhe të dielave.

Partia e Gjelbër e Gjermanisë, megjithatë, hodhi poshtë paralajmërimin, duke akuzuar Wissing për dezinformim. Gjermania është një nga vendet e pakta në botë që nuk ka një kufizim të përgjithshëm të shpejtësisë në autostrada. Megjithatë, sipas “Environmental Action Germany” (DUH), nëse shpejtësia e autostradës kufizohet në 100 km/h, do të shkurtonte më shumë se 11 milionë tonë dioksid karboni në vit.

Deri në vitin 2030, Gjermania synon të reduktojë emetimet e gazit serrë me 65 për qind në krahasim me vitin 1990. (Elona)