Ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare, firmoset marrëveshja në Vjenë
2024-04-17 11:44:04

Foto nga RTSH

Çelet një kapitull i ri për ndërkombëtarizimin e universiteteve, falë marrëveshjes së firmosur në Vjenë ndërmjet Ministrive të Arsimit dhe të Bujqësisë së Shqipërisë dhe Austrisë.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha se memorandumi historik për modernizimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës me standardet e Universitetit BOKU të Vjenës është një gur kilometrik për transformimin dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve shqiptare, citon “RTSH”.

“Po shënojmë një moment historik me nënshkrimin për herë të parë të një marrëveshjeje të tillë mes Ministrive të Arsimit dhe Bujqësisë të dy vendeve tona, me qëllim për të transformuar dhe modernizuar Universitetin e Bujqësisë të Tiranës, duke standardizuar kurrikulën, përmirësuar kërkimin shkencor, themeluar programe të përbashkëta, me synim diplomat dyfishe me Universitetin BOKU të Vjenës, si rezultat final i kësaj marrëveshjeje”,- tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e konsideroi këtë marrëveshje si shumë të rëndësishme në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare, duke theksuar se është hera e parë që ndërmerret një reformë tërësore në një universitet publik në vend, duke synuar ndryshimin total të arkitekturës aktuale të programeve mësimore dhe kërkimit shkencor.