Zbulohet një vrimë e zezë masive në Rrugën e Qumështit
2024-04-17 14:37:38

Foto nga VCG

“Lëkundja” e një ylli i ka alarmuar studiuesit për një vrimë të zezë të madhe në Rrugën e Qumështit.

“Është vrima e zezë yjore më masive e njohur deri sot në galaktikën tonë”, - njoftoi Observatori Jugor Europian (ESO), me qendër pranë qytetit gjerman të Mynihut, citon “ATSH”.

Vrima e zezë, e quajtur Gaia BH3, ka rreth 33 herë masën e Diellit.

“Askush nuk priste të gjente një vrimë të zezë me masë të lartë, të pazbuluar deri tani. Ky është lloji i zbulimit që bëhet një herë në jetën kërkimore”,- theksoi në një deklaratë astronomi Pasquale Panuzzo.

ESO-ja bëri të ditur se vrima e zezë është jashtëzakonisht afër Tokës në një distancë prej vetëm 2000 vite dritë.

Një vit dritë është distanca që përshkon drita në një vit, një distancë prej 9.46 trilionë kilometra.

BH3 u zbulua falë të dhënave të mbledhura nga misioni “Gaia” i Agjencisë Europiane të Hapësirës (ESA).

Misioni synon të regjistrojë pozicionet, lëvizjet, distancat dhe shkëlqimin e pothuajse dy miliardë trupave qiellorë. (Elona)