Presidenti francez njofton për plane alternative për ceremoninë e hapjes së Olimpiadës në Paris
2024-04-16 18:25:34

Foto:VCG

Foto:VCG

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se organizatorët kanë përgatitur plane alternative për organizimin e ceremonisë së shumëpritur të hapjes së Lojërave Olimpike të Parisit, nëse ka rreziqe për sigurinë, shkruan “Xinhua”.

Ndërsa vijon numërimi mbrapsht për Olimpiadën, gjatë një interviste televizive, Macron përsëriti besimin e tij për të pritur me sukses ceremoninë në kryeqytetin francez.

“Nëse mendojmë se ka rreziqe sigurie, do të kemi Plan B, madje edhe Plan C. Po i përgatisim ato paralelisht. Do të bëjmë një analizë në kohë reale. Kemi një ceremoni që do të kufizohej në “Trocadero” dhe që për rrjedhojë nuk do të mbulonte të gjithë Senën”,- tha Macron, duke përmendur gjithashtu mundësinë e zhvendosjes së ceremonisë në “Stade de France”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas planit aktual, rreth 10.500 atletë pritet të udhëtojnë afërsisht gjashtë kilometra nga lindja në perëndim përgjatë lumit Senë, duke zbritur pranë Kullës Eifel në sheshin “Trocadero” për festën. Rreth 300.000 spektatorë pritet të ndjekin drejtpërdrejt ngjarjen nga të dy anët e lumit. Megjithatë, siguria ka qenë një shqetësim i rëndësishëm që nga fillimi i planifikimit. Rritja e rrezikut të sulmeve të mundshme terroriste është një konsideratë kritike si për komitetin organizativ ashtu edhe për qeverinë franceze.

Lojërat Olimpike të Parisit do të zhvillohen midis 26 korrikut dhe 11 gushtit, të ndjekura nga Lojërat Paralimpike të Parisit nga 28 gushti deri më 8 shtator. (Irma)