Ministria e Infrastrukturës: Vijojnë kërkimet për naftën në Shpirag
2024-04-16 18:20:16

Nafta ne Shpirag (Foto RTSh)

Nafta ne Shpirag (Foto RTSh)

Ministria e Infrastrukturës bëri të ditur përmes një deklarate se nuk janë ndërprerë kërkimet në Shpirag, pasi tashmë është vërtetuar se në të është gjetur naftë dhe gaz, por problemi qëndron në gjetjen e teknologjisë së duhur moderne për të shfrytëzuar arin e zi për shkak të formacionit gjeologjik të zonës, shkruan “RTSH”.

Ministria e Infrastrukturës sqaron se është zbuluar një depozitë e konsiderueshme me 225 milionë fuçi rezerve nafte e një cilësie të mirë dhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Problemi, shton Ministria e Infrastrukturës, është formacioni gjeologjik tejet kompleks i nëntokës së kësaj zone. Kjo kërkon adoptimin e një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, ndaj edhe kompania “SHELL”, specialistët e fushës, si dhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme.

“Procesi i kërkimeve në zonën e Shpiragut, si një ambicie strategjike dhe program afatgjatë i qeverisë shqiptare, nisur me miratimin e Kontratës me Ndarje Prodhimi në Korrik 2009, vazhdon me vështirësitë përkatëse si pasojë e formacionit gjeologjik tejet kompleks të nëntokës së kësaj zone. Tanimë jemi në fazën kur është shkencërisht i provuar dhe i dokumentuar, zbulimi i një depozite të konsiderueshme prej 225 milionë fuçi rezervë nafte, si edhe një rezervë domethënëse gazi në nëntokën e Shpiragut.

Gjithashtu testet e cilësisë së naftës në këtë rezervë kanë dhënë një rezultat të shkëlqyer, me një gravitet që varion midis 35-37o API (American Petroleum Institute) ose e thënë ndryshe, një cilësi në thuajse të njëjtët parametra me naftën e vendeve avangardë në tregun e arit të zi.

Koha e finalizimi i procesit të nxjerrjes së kësaj sasie nafte për treg, kushtëzohet nga gjeologjia shumë specifike e nëntokës së Shpiragut dhe adoptimi i një teknologjie të veçantë për shfrytëzimin e rezervës, prandaj edhe kompania SHELL, specialistët e fushës, si edhe autoritetet shtetërore kanë qenë vazhdimisht të kujdesshëm për afatet kohore të nevojshme”,- thuhet në deklaratë. (Irma)