RMV formon shtab krize për evakuimin e shtetasve maqedonas nga Lindja e Mesme
2024-04-16 15:05:43

Flamuri maqedonas (Foto Panorama)

Flamuri maqedonas (Foto Panorama)

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka formuar një shtab për krizat, për evakuimin e qytetarëve maqedonas nga Lindja e Mesme, nëse ka nevojë, pas sulmit iranian ndaj Izraelit me dronë dhe raketa, shkruan “Panorama”.

Ministri maqedonas i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, deklaroi se evakuimi i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut do të varet nga puna e aeroportit në Tel Aviv, i cili është rihapur.

Rruga e dytë e mundshme për evakuim është përmes Jordanisë.

Në shtabin e krizës janë të njëjtët anëtarë që ishin në shtabin në tetor të vitit të kaluar për evakuimin e shtetasve maqedonas nga Izraeli, pas sulmeve të Hamasit.

Kryediplomati Osmani theksoi se në Izrael janë 40 deri në 50 qytetarë, mes të cilëve edhe familjarët e personelit diplomatik në Tel Aviv.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në Izrael që të jenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën tonë në Tel Aviv, ndërsa në dispozicion janë edhe telefonat e shërbimit të MPJ-së në Maqedoninë e Veriut”,- tha Osmani.

“Çdo dhunë është e dënueshme, qoftë nga Izraeli, Irani apo Hamasi. Ne i dënojmë të gjitha veprimet, siç i dënuam të mëparshmet dhe siç do t’i dënojmë sulmet e radhës hakmarrëse që janë paralajmëruar”,- u shpreh shefi i diplomacisë maqedonase.

Ai kërkoi nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për shkak të rrezikut nga përshkallëzimi dhe aktivizimin e rrugës ballkanike të emigrimit. (Irma)