Ministrja Manastirliu: Investimi te Gjeologji-Minierat, strategjik për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor
2024-04-16 18:16:18

Ministrja Manastirliu (Foto RTSh)

Ministrja Manastirliu (Foto RTSh)

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, inspektoi punimet për rikonstruksionin e Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave, duke e cilësuar një investim kyç për infrastrukturën e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor, shkruan “RTSH”.

Ministrja tha se rikonstruksioni i godinave të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave në Universitetin Politeknik të Tiranës, si dhe ngritja e Muzeut të Gjeologjisë, është pjesë e një investimi strategjik, synim i të cilit është ofrimi i kushteve më të mira për studentët, stafin akademik dhe përmirësimi i strukturës laboratorike.

“Universiteti Politeknik i Tiranës po përfiton mbështetje nga qeveria shqiptare përmes një sërë investimesh që synojnë përmirësimin e infrastrukturës. Kjo përfshin jo vetëm hapësirat mësimore, por edhe laboratorët. Një buxhet prej 600 milionë lekësh është alokuar për këto projekte madhore. Shpresojmë të ndërmarrim edhe më shumë projekte të rëndësishme së bashku, të cilat do të kontribuojnë në kërkimin shkencor dhe përdorimin e teknologjive të reja. Për më tepër, po punojmë për të themeluar një laborator të ri kërkimi shkencor me financimin e qeverisë shqiptare, nëpërmjet Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit”,- tha ministrja Manastirliu.

Projekti parashikon jo vetëm rikonstruksionin dhe restaurimin e ndërtesave ekzistuese, të pajisura me laboratorë të avancuara, salla leksionesh dhe seminaresh, por edhe ndërtimin e një muzeu modern të Gjeologjisë. Kjo ndërtesë e re do të ofrojë hapësira muzeale, bibliotekë me ambientet e saj të studimit, auditore dhe ambiente teknike, duke kontribuar në nxitjen e studimit dhe kërkimit shkencor në fushën e gjeologjisë.

Ky investim, që do t’i shërbejë 1850 studentëve dhe 109 pedagogëve dhe stafit administrativ, është vetëm një pjesë e një programi më të gjerë që synon përmirësimin e infrastrukturës mësimore dhe shkencore në arsimin e lartë në Shqipëri.

Për këtë qëllim, me buxhetin e këtij viti, do të investohen 1.5 miliardë lekë në përmirësimin e infrastrukturës akademike, ndërkombëtarizimin dhe kërkimin shkencor. (Irma)