Kryebashkiaku Veliaj inspekton qendrën e re komunitare në Vaqarr të Tiranës
2024-04-16 14:49:06

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

Kryebashkiaku Veliaj (Foto Rtsh)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi qendrën e re për shërbime komunitare në Vaqarr. Ai theksoi se falë investimeve të bashkisë, si në qendër ashtu edhe në periferi, shumë shpejt Vaqarri do të jetë si një lagje e Tiranës, shkruan “RTSH”.

“Brenda kësaj dekade Vaqarri do të quhet një lagje e Tiranës. Po ndërtojmë duke i paraprirë Tiranës së të ardhmes. Na duhet t’i gjallërojmë hapësirat urbane me jetë dhe jeta është edhe administrata, pra aktivitetet e administratës, edhe aktivitetet post administratë ose jashtë shkollore”,- deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë bëri të ditur se qendra e re komunitare do të rrisë ndjeshëm vlerën e pronës.

“Brenda pranverës do të bëjmë hapjen zyrtare të qendrës. Do të përgatisim të gjithë Njësinë Administrative të rikthehet në Vaqarr dhe pastaj do të jetë sfidë për komunitetin se si do ta gjallërojmë me kulturë, rini dhe art. Duke e bërë tërheqëse, kemi rritur vlerën e të gjitha pronave përreth”,- u shpreh kryebashkiaku Veliaj. (Irma)