Izraeli kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas sulmit të Iranit
2024-04-15 15:15:18

CFP

CFP

Izraeli kërkon që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mbajë një mbledhje urgjente për të dënuar sulmin e Iranit dhe për ta cilësuar Korpusin e Gardës Revolucionare iraniane (IRGC) një organizatë terroriste, njofton “RTSH”.

Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan, i dërgoi një letër urgjente presidentes së Këshillit të Sigurimit, Vanessa Frazier, duke bërë thirrje për takimin.

“Sulmi iranian është një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë globale dhe unë pres që Këshilli të përdorë çdo mjet për të ndërmarrë veprime konkrete kundër Iranit”,- shkroi ai në “X”.

Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa drejt Izraelit në përgjigje të një sulmi të dyshuar izraelit në një kompleks iranian në Siri në fillim të këtij muaji, i cili vrau dy gjeneralë brigade dhe pesë anëtarë të tjerë të IRGC-së të fuqishme të Iranit. (Fatosi)