Gjermania ka ndaluar mbi 700 kontrabandistë të qenieve njerëzore
2024-04-15 12:52:35

Foto:VCG

Foto:VCG

Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, deklaroi se ka pasur suksese në kufizimin e emigrimit të parregullt në Gjermani.

“Kërkesat për azil janë aktualisht një të pestën më të ulëta se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga kontrollet kufitare janë ndaluar 708 kontrabandistë që nga tetori dhe janë parandaluar 17.600 hyrje të paautorizuara”,- tha ministrja gjermane, citon “RTSH”.

Ajo iu referua rezolutave të miratuara nga qeveria, të cilat mbështeten nga koalicioni trepartiak i kancelarit Olaf Scholz.

Bundestagu votoi të shtunën për t’u ofruar azilkërkuesve dhe emigrantëve në Gjermani përfitime sociale nëpërmjet një karte pagese në vend të parave të gatshme në të ardhmen.

Faeser vlerësoi gjithashtu miratimin e reformës së BE-së për azilin, e cila ka qenë e diskutueshme prej vitesh. (Fatosi)