Shqipëria dënon sulmin iranian ndaj Izraelit
2024-04-15 12:08:11

Presidenti shqiptar Bajram Begaj (Foto Atsh)

Presidenti shqiptar Bajram Begaj (Foto Atsh)

Liderët shqiptarë denoncuan sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e cilësoi të paprecedentë. Ai paralajmëroi se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme, shkruan “RTSH”.

“Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe të ketë efekte të pakthyeshme në një shkallë më të gjerë”,- deklaroi presidenti Begaj.

Shqipëria dënon me forcë sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për destabilizimin e rajonit në mënyrë të pakthyeshme, deklaroi kryeministri Edi Rama, duke bërë thirrje për armëpushim në Gaza dhe kthimin e stabilitetit në rajon.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë për mos të përshkallëzuar situatën. Shqipëria kërkon vetëpërmbajtjen e palëve, thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të kthehen të sigurt në shtëpi, si dhe mbështet partnerët për mos të përshkallëzuar situatën mes Izraelit dhe Iranit, pas sulmit me mbi 300 dronë”,- shkroi Rama në platformën “X”.

Ministri i Jashtem shqiptar Igli Hasani (Foto GazetaSi)

Ministri i Jashtem shqiptar Igli Hasani (Foto GazetaSi)

Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, deklaroi përmes një postimi në “X” se Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit

“Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Ai rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme”,- shkroi kryediplomati shqiptar. (Fatosi)