Izraeli dhe aleatët rrëzojnë shumicën e dronëve dhe raketave të Iranit
2024-04-15 14:47:45

CFP

CFP

Forcat izraelite dhe aleate rrëzuan shumicën dërrmuese të qindra dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani, gjatë një sulmi të paprecedentë kundër Izraelit, njofton “ATSH”.

Shpërthime të forta mund të dëgjoheshin mbi Izrael, në orët e para të mëngjesit të së dielës. Autoritetet izraelite raportuan vetëm dëme të lehta në një instalim ushtarak izraelit dhe njoftuan për plagosjen rëndë të një 7-vjeçareje, pasi më shumë se 300 dronë dhe raketa rreth 99% e tyre u ndaluan përpara goditjes.

“Ne jemi gati për çdo skenar, si për mbrojtje, ashtu edhe për sulm. Shteti i Izraelit është i fortë”,- deklaroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

CFP

CFP

Mediat amerikane dhe britanike raportuan se Forcat e tyre të Armatosura morën pjesë në rrëzimin e raketave mbi zonën kufitare Irak-Siri, derisa fluturonin në drejtim të Izraelit.

Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq të ashpër prej dekadash, por ky është sulmi i parë i drejtpërdrejtë i njërit në tokën e tjetrit. Ai vjen pas një sulmi në konsullatën e Iranit në Siri, më 1 prill, kur u vranë shtatë oficerë ushtarakë, përfshirë një komandant të lartë. (Fatosi)