“Edukimi përmes kulturës”, program i Muzeut Kombëtar për nxënësit e shkollave 9-vjeçare
2024-04-14 13:14:22

Edukimi permes kultures (Foto Atsh)

Në kuadër të programit “Edukimi përmes kulturës”, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin “Muzeu im” në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë” në Tiranë.

Në takimin me specialistë të Muzeut Historik Kombëtar, nxënësit kishin sjellë nga shtëpitë e tyre objekte të vjetra, që me kalimin e viteve dashur padashur kanë marrë edhe vlera muzeale, si punime zbukurimore prej druri, bakri e bronzi, punime dore, kandila, mulli kafeje etj., shkruan “ATSH”.

Nxënësit ishin impenjuar për të nxjerrë nga errësira, ku mbaheshin prej vitesh objekte që dikur ishin përdorur nga gjyshet apo gjyshërit e tyre. Eksperienca e nxënësve për risjelljen në vëmendje të objekteve të vjetra e që marrin vlera muzeale vjen si vazhdimësi e projektit “Muzeu im’’, inicuar nga Sektori i Programeve Edukative në Muzeun Historik Kombëtar. Në këtë projekt, çdo qytetar mund të ekspozojë objekte të vjetra të trashëguara nga të parët e tyre. Ky projekt ka për qëllim që edhe qytetarët të jenë më afër muzeut dhe muzeu të jetë më afër shkollave. (Irma)