Guvernatori i BSH-së e vlerëson si të rëndësishme kulturën financiare
2024-04-14 11:43:50

Guverantori Sejko (Foto Atsh)

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, për të diskutuar në panelin me temë “Si t’i mbrojmë paratë e njerëzve dhe të ardhmen e tyre financiare”, së bashku me ministrin e Financave, Ervin Merte, dhe kreun e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Eduard Shalsi, shkruan “ATSH”.

Guvernatori Sejko deklaroi se të gjitha bankat qendrore moderne i kushtojnë vëmendje dhe burime të veçanta edukimit financiar dhe ekonomik të publikut. Kjo dukuri është intensifikuar dhe ka marrë një formë të plotë në mënyrë të veçantë në periudhën e paskrizës financiare, kryesisht për arsye se autoritetet financiare kuptuan rëndësinë e operimit në një ambient me publik të mirinformuar.

Guvernatori theksoi se një publik i pajisur me kulturë financiare ka më shumë mundësi të kuptojë botën financiare plot risi që e rrethon, si dhe funksionin dhe vendimet komplekse të bankës qendrore. Sipas tij, me këto principe në fokus, prej afro 20 vjetësh, Banka e Shqipërisë është angazhuar në zgjerimin dhe thellimin e kulturës financiare të publikut në vend, e veçanërisht të brezit të ri.

Guvernatori Sejko u shpreh se në janar u miratua Strategjia e Bankës së Shqipërisë për Edukimin dhe Përfshirjen Financiare, një dokument i parë institucional që promovon edukimin financiar, në nxitje të përfshirjes, mirëqenies dhe qëndrueshmërisë financiare.

Misioni i tij, tha ai, është të sigurojë që individët në Shqipëri të fitojnë njohuritë, të zotërojnë aftësitë, të mbajnë qëndrimet dhe të zhvillojnë sjelljet e duhura, të sakta dhe të zbatueshme që u mundësojnë atyre të marrin vendime financiare të mirinformuara, me synim final përmirësimin e mirëqenies dhe qëndrueshmërisë së tyre financiare. (Irma)