Ministrja Denaj: Të bashkëpunojmë për produktet “Made in Albania”
2024-04-14 12:21:04

Ministrja Denaj (Foto Atsh)

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ka bërë të ditur se çmimi i qumështit nuk është tagër i shtetit apo i Ministrisë së Bujqësisë, por veprim operacional i kërkesë-ofertës që ndodh në treg. Në një intervistë për media, e pyetur për protestat e fermerëve në lidhje me çmimin e ulët të qumështit që mblidhet nga pikat e grumbullimit, ministrja tha se ky është një proces që ka marrë angazhimin e ministrisë gjatë 3 muajve të fundit, citon “ATSH”.

 “Ne jemi të vetëdijshëm që si rezultat i shumë arsyeve, nisur nga fakti që fermat tona në të shumtën janë të vogla, edhe sasia e cilësia e qumështit, pavarësisht se është në përmirësim, krijon disa ngërçe. Por ngërçi kryesor në raport me qumështin e lopës është ai që vjen nga importi, me një çmim më të ulët sesa ai që prodhohet në vend”, - tha Denaj.

Sipas ministres, prodhimi vendas është në parametra mjaft të mirë dhe për t’u dhënë fund spekulimeve në lidhje me cilësinë janë dërguar për analiza në Çeki disa mostra të marra nga të gjithë prodhuesit.

“Dua të garantoj, me analizat që po bëjmë, cilësia e qumështit dhe e prodhimeve blegtorale shqiptare është e mirë. Sigurisht, ka nevojë për të përmirësuar disa elemente infrastrukturore apo investime të tjera që mos të ketë humbje. Problemi kryesor nuk qëndron te cilësia, edhe produkti që vjen nga importi, pavarësisht se ka më shumë nivel yndyre, është cilësi e standardit evropian”,- tha ministrja. (Irma)