Sinjalistikë orientuese në dy gjuhë në sitet historike e kulturore të Shkodrës
2024-04-14 12:57:59

Vend turistik ne Shkoder (Foto Atsh)

Specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, në kuadër të afrimit të sezonit turistik, kanë kryer një sërë punimesh mirëmbajtjeje në objektet e trashëgimisë historike e kulturore të zonës. Kështu, për përmirësimin e sinjalistikës së brendshme në sitet dhe pasuritë kulturore janë vendosur tabela shpjeguese e orientuese në një numër të madh kishash, fortifikimesh etj., shkruan “ATSH”.

Informacioni i përditësuar në tabelat orientuese është në dy gjuhë (shqip/anglisht) dhe do t’i vijë në ndihmë vizitorëve vendas dhe të huaj, për të mësuar më shumë mbi historinë e këtyre pasurive kulturore.

Me tabela orientuese do të pajisen Kisha e Shën Premtes, Balldren (shek.XIV); Kisha e Shën Venerandës, Pllanë (Shek.XIV-XVII); rrënojat e Manastirit të Shën Sergjit dhe Bakut, Shirq; rrënojat e Manastirit të Shën Sofisë, Mazrek; Kisha e Shën Gjonit, Rrashkullaj; vendvarrimi i Skënderbeut, Lezhë; Kalaja e Lezhës; fortifikimi i Gajtanit; Ura e Mesit etj. (Irma)