KESH: Janë plotësuar rezervat energjetike pa importuar
2024-04-14 13:04:48

Kaskada e Drinit (Foto Rtsh)

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njofton se rezerva energjetike në Kaskadën e Drinit është rreth 1054 GWh. KESH-i e konsideron këtë një vlerë optimale të operimit për sezonin.

KESH-i bëri të ditur se situata hidrike gjatë 3-mujorit të parë të vitit paraqitet me reshje me intesitet të ulët dhe mesatar,  çka ka bërë të mundur që prurjet të qëndrojnë rreth vlerave mesatare shumëvjeçare, duke përmbushur kërkesën për prodhim energjie, pa qenë nevoja për import, citon “RTSH”. Po ashtu, sipas Korporatës, në çdo rast me evente reshjesh do të vlerësohet mundësia për të eksportuar energji.

Paralelisht, KESH po menaxhon portofolin financiar nëpërmjet procedurave të optimizimit, duke rritur të ardhurat pa efekt te rezerva energjetike e duke përmbushur njëkohësisht nevojën për konsum vendas. Sipas përllogaritjeve, nga optimizimi Korporata Elektorenergjetike Shqiptare ka siguruar rreth 431 mijë euro.

Kjo përmes 3 procedurave të realizuara për periudhën kohore 23 mars deri në 12 prill. Realizimi i procedurave të shitblerjes së energjisë synon përfitimin nga diferenca e çmimit të shitjes me atë të blerjes.

Referuar legjislacionit në fuqi, blerja bëhet me çmim më të ulët se shitja, duke siguruar të ardhura shtesë për Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare. (Irma)